Kosova

Trajkoviq: Osmani po e paraqet veten si aleate lokale e Trump për rizgjedhje

Kryetarja e organizatës joqeveritare “Lëvizja Europiane e Serbëve nga Kosova”, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po përpiqet të pozicionojë veten si një aleate lokale e ish-presidentit amerikan Donald Trump, me qëllim që të sigurojë rizgjedhjen në krye të shtetit.

Në një intervistë për gazetën serbe Danas, Trajkoviq tha se Osmani është duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në prag të fushatës për mandatin e dytë presidencial. Ajo e interpreton edhe përmendjen e fundit të emrit të Trump në kontekstin e zhvillimeve në Kosovë si një strategji të qëllimshme për të tërhequr vëmendjen e qarqeve pro-Trump në SHBA.

“Presidentja Vjosa Osmani sigurisht që ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të Amerikës, në fushatën e saj për rizgjedhje si presidente e Kosovës. Ajo është shumë e kujdesshme që ta pozicionojë veten si një aleate lokale e administratës Trump,” tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se Osmani po punon gjithashtu për të aktivizuar lobin shqiptar në SHBA dhe për të fituar mbështetjen e tij si një “kandidate pro-amerikane”. Sipas saj, kjo vjen edhe për shkak të marrëdhënieve të komplikuara që Osmani ka me kryeministrin Albin Kurti, nga i cili, sipas Trajkoviq, ajo ende varet për mbështetje të brendshme politike.

“Dy të tretat e parlamentit, duke përfshirë përfaqësuesit e LDK-së, AAK-së, PDK-së dhe Vetëvendosjes së Kurtit, janë të nevojshme për rizgjedhjen e Osmanit, por Vetëvendosja është një mbështetje e pasigurt,” theksoi ajo.

Deklaratat e Trajkoviq vijnë pas reagimit të Osmanit për veprimet destabilizuese të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën në muajin maj, të cilat, sipas saj, janë pjesë e një përpjekjeje për të rritur tensionet në rajon.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button