Tragjedi në Itali: Shqiptari humb jetën në aksident me motor

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor. Viktima është identifikuar si Artur Çela, 50 vjeç, me origjinë nga Tirana, i cili jetonte prej më shumë se dy dekadash në Concordia Sagittaria së bashku me familjen e tij.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Çela po udhëtonte me një motor kur është përplasur me një automjet. Menjëherë pas aksidentit në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit dhe ekipi i urgjencës, por fatkeqësisht ai kishte ndërruar jetë përpara se të merrte ndihmën mjekësore.
Dyshimet e para të autoriteteve flasin për një parakalim të gabuar të kryer nga viktima si shkak i mundshëm i aksidentit, por rrethanat e sakta pritet të sqarohen nga hetimet në vijim.
Artur Çela punonte në sektorin e ndërtimit dhe njihej si një qytetar i integruar në komunitetin lokal. Humbja e tij ka sjellë trishtim të thellë te familjarët dhe bashkëatdhetarët në Itali.