Tragjedi në Itali: Humb jetën një 14-vjeçare shqiptare, dyshohet për bullizëm si shkak i aktit ekstrem

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Një vajzë 14-vjeçare me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës, humbi jetën pasi u hodh nga kati i tretë i banesës ku jetonte me prindërit në zonën e Massafras, provinca e Tarantos.
Sipas mediave italiane, adoleshentja u dërgua me urgjencë në spitalin Santissima Annunziata në Taranto, me shenja jete, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë pak minuta më pas.
Dyshimet paraprake të hetuesve dhe raportimet nga mediat sugjerojnë se vajza mund të ketë qenë viktimë e bullizmit, çka e ka çuar në një gjendje të rëndë psikologjike dhe më pas në vendimin fatal për t’i dhënë fund jetës.
Në momentin kur ndodhi ngjarja, nëna e saj ndodhej në apartament. Ajo ka deklaruar për hetuesit se ka qenë dëshmitare e momentit tragjik, kur vajza ka hapur dritaren dhe është hedhur.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes janë marrë përsipër nga karabinierët, të cilët po punojnë për të rindërtuar sekuencën e saktë të ngjarjeve dhe për të verifikuar çdo element që mund të ndihmojë në sqarimin e shkaqeve që çuan në vdekjen e së miturës.
Tragjedia ka ngritur shqetësime të mëdha në lidhje me përhapjen e bullizmit mes të rinjve dhe pasojat e rënda që ky fenomen mund të ketë për shëndetin mendor të fëmijëve emigrantë.