Tragjedi në Itali: Humb jetën në aksident i riu shqiptar, Angelo Kanapari

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Angelo Kanapari, një i ri shqiptar vetëm 20 vjeç, ka humbur jetën në mënyrë tragjike pas një aksidenti me motor.
Ngjarja ndodhi më 25 prill në zonën e Torrita di Siena, në rrugën “Modena”, ku i riu, teksa po qarkullonte me motorin e tij, pësoi një aksident të rëndë. Ai u transportua me urgjencë në spital dhe për disa ditë luftoi mes jetës dhe vdekjes. Fatkeqësisht, më 30 prill, plagët e marra rezultuan fatale dhe Angelo ndërroi jetë.
Familjarët e tij kanë shprehur dhimbjen e thellë në rrjetet sociale. Në një moment shprese, babai i tij kishte postuar një mesazh prekës: “Forca dashuria e babit dhe mamit”, ndërsa më vonë lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të të riut e konfirmoi xhaxhai i tij.
“Ndahet nga jeta në një aksident tragjik me motor nipi im Angelo Kanapari në moshë të re, duke lënë në pikëllim nënën Brunilda, babain Ferik, vëllain Aleksandër, gjyshërit, gjyshet, miqtë dhe shokët e tij”, shkroi ai në një postim të dhimbshëm.
Komuniteti shqiptar në Itali dhe më gjerë është solidarizuar me familjen Kanapari në këtë moment të vështirë, duke shprehur ngushëllime dhe lutje për shpirtin e Angelos.