
Trafiku në rrugët e Tiranës po rëndohet çdo ditë e më shumë, ndërsa gjetja e një vendparkimi është kthyer në sfidë, jo vetëm për shkak të mungesës së hapësirave, por edhe për shkak të kostove të larta.
Rritja e ndërtimeve dhe mungesa e zhvillimit paralel të infrastrukturës janë ndër faktorët kryesorë të këtij problemi, por jo të vetmit. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në fund të vitit 2024, në Tiranë ishin të regjistruara plot 340 mijë automjete – një e treta e gjithë mjeteve në vend.
Në raport me popullsinë e Bashkisë Tiranë, e cila sipas censit të fundit të INSTAT arrin në rreth 600 mijë banorë, rezulton se për çdo dy banorë ekziston një automjet. Me rreth 500–550 automjete për 1 mijë banorë, Tirana arrin nivelet mesatare të Bashkimit Europian, ndërsa tejkalon ndjeshëm mesataren kombëtare prej rreth 300 automjetesh për 1 mijë banorë.
Vetëm gjatë vitit 2024, në Tiranë u regjistruan për herë të parë 41.1 mijë automjete, që përbëjnë 41% të totalit kombëtar. Këtyre u shtohen edhe mjetet që hyjnë çdo ditë nga rrethet, duke e rënduar akoma më shumë trafikun.
Në nivel kombëtar, deri në qershor 2024 ishin regjistruar gjithsej 914 mijë mjete, ku 738 mijë ishin autovetura. Rritja e numrit të makinave ka ardhur si rezultat i importeve masive, veçanërisht nga Koreja e Jugut. Vetëm në vitin 2024, 18.8 mijë mjete me origjinë koreane u regjistruan për herë të parë në vend, duke e kthyer Korenë në eksportuesin kryesor me 19% të totalit.
Nga ana tjetër, ndërtimet në Tiranë kanë njohur një bum të paprecedentë. Nga viti 2018 deri në 2024, Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për rreth 1.25 milionë metra katror ndërtime rezidenciale në vit, ndërsa në vitin 2024 u shënua rekordi me 1.8 milionë metra katror. Nga këto ndërtime, Bashkia ka arkëtuar mbi 500 milionë euro nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Përballë këtij zhvillimi urban të shpejtë, infrastruktura rrugore dhe transporti publik nuk kanë njohur përmirësime domethënëse. Mungesa e një sistemi efikas transporti publik detyron shumë qytetarë të përdorin automjetin personal për lëvizjet e përditshme.
Një sondazh i mëparshëm i revistës “Monitor” tregon se 84% e të anketuarve nga Tirana e cilësojnë infrastrukturën e transportit publik si të dobët ose shumë të dobët. Sipas qytetarëve, përmirësimi i transportit publik, ndërtimi i parkingjeve në periferi dhe zgjerimi i rrugëve janë masat prioritare për të zbutur trafikun e rënduar në kryeqytet.