Topalli ngre alarmin: Manipulim masiv i votës së diasporës në Greqi dhe Itali, përfshirë zyrtarë të PS-së

Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli, ka ngritur sot një alarm të fortë për manipulime të rënda në procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit, me theks të veçantë në Greqi dhe Itali. Në një konferencë për mediat, Topalli akuzoi direkt zyrtarë të lidhur me Partinë Socialiste se po ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfeve me vota të emigrantëve.
Topalli përmendi me emër dy persona që sipas saj janë përfshirë në këtë manipulim: Marjeta Mikeli, punonjëse e ambasadës shqiptare në Romë, dhe Veli Mehmeti, ish-kryetar i komunës së Çarshovës dhe aktualisht pjesë e bashkisë së Përmetit. Sipas saj, Mikeli ka mbledhur dhe dorëzuar zarfet në mënyrë të paligjshme në Itali, ndërsa Mehmeti, në Greqi, akuzohet se u jep emigrantëve pagesa dhe ua plotëson vetë fletët e votimit.
Topalli denoncoi se në Greqi janë përdorur makina të marra me qira nga Shqipëria për të shpërndarë zarfe, duke vepruar si poste private jashtë çdo ligji. “Nuk po flasim më për raste të izoluara, por për një sistem të tërë të manipuluar. Makina private shpërndajnë zarfe, në vend të DHL-së, dhe pikat e dorëzimit janë kthyer në pika bastesh ku qytetarët nuk gjejnë më zarfet e tyre,” deklaroi ajo.
Ajo i bëri thirrje KQZ-së dhe SPAK që të ndërhyjnë menjëherë, veçanërisht në Greqi, pasi sipas saj, procesi zgjedhor është “gati jashtë kontrollit.” Si shembull konkret, Topalli përmendi rritjen e pazakontë të numrit të zarfeve nga Greqia me 6 mijë brenda 24 orëve, duke ngritur dyshime të forta për manipulim të organizuar.
“Futja e njerëzve të PS-së sikur të ishin zyra të DHL-së është e papranueshme. Kemi kaluar çdo masë. Ky nuk është një fenomen sporadik, por një skandal që po kthehet në normalitet,” përfundoi Topalli.