Lajme
Kryesore

Tiranë – Policia nis kontrolle intensive për ndotjen akustike: Gjobë 3 milionë lekë për një lokal

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur një fushatë kontrollesh të intensifikuara për matjen dhe monitorimin e nivelit të zhurmës në kryeqytet, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe garantimin e qetësisë publike, veçanërisht gjatë orëve të natës në zonat e banuara.

Këto kontrolle janë pjesë e një plani të posaçëm masash, ndërmarrë si në kuadër të detyrimeve ligjore, ashtu edhe si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura nga qytetarët. Policia po përdor pajisje të certifikuara, që përputhen me standardet ligjore dhe teknike për matjen e ndotjes akustike.

Masat administrative për subjektet që kapen në shkelje të nivelit të lejuar të zhurmës variojnë nga 2 milionë deri në 4 milionë lekë, ndërsa në rast përsëritjeje parashikohet edhe pezullimi i aktivitetit.

Gjatë kontrolleve të deritanishme, është identifikuar një lokal që ka tejkaluar normat ligjore të zhurmës, ndaj të cilit është vendosur një gjobë prej 3 milionë lekësh. Policia thekson se inspektimet do të vijojnë pa ndërprerje.

DVP Tiranë i bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast të ndotjes akustike përmes numrit të urgjencës 112 apo në komisariatet përkatëse, duke theksuar angazhimin për ruajtjen e rendit, sigurisë dhe mirëqenies në komunitet.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button