Thirrje për kompromis: Halil Thaçi i LVV-së dyshon se Kuvendi do të konstituohet nesër

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka deklaruar për RTV21 se ka pak gjasa që Kuvendi i Kosovës të konstituohet në seancën e thirrur për nesër. Sipas tij, mungesa e konsensusit mes partive politike për zgjedhjen e kryetarit të ri po e pengon këtë proces.
Thaçi tha se LVV, së bashku me listën Guxo dhe Alternativën, janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje kompromisi me Nismën Socialdemokrate, nëse kjo e fundit tregon vullnet për bashkëpunim.
“LVV-ja bashkë me listën Guxo dhe Alternativën jemi të gatshëm për kompromis me Nismën, që do të ishte i mirëpritur nga grupi ynë. Ky bashkëpunim do të ndihmonte për të dalë nga kriza që e ka kapluar vendin,” u shpreh deputeti i LVV-së.
Ai shtoi se, megjithëse nuk pret ndonjë zhvillim të ri nesër për konstituimin e Kuvendit, përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje nuk do të ndalen.
“Unë i bëj thirrje kolegëve të mi që të reflektojnë,” tha Halil Thaçi.