Kosova

Thatësira zbraz Liqenin e Vërmicës – bagëtitë kullosin në shtratin e tij

Thatësira e gjatë që ka përfshirë Kosovën dhe rajonin ka lënë pasoja të rënda në Liqenin e Vërmicës, i cili tashmë është tharë pothuajse tërësisht. Në vend të ujit, shtrati i liqenit është shndërruar në një sipërfaqe të gjelbër, ku sot kullosin bagëtitë.

Tharja e këtij liqeni artificial, i krijuar pas ndërtimit të digës së Hidrocentralit të Fierzës në fund të viteve ’70, ka vënë në vështirësi edhe bizneset që u ngritën ndër vite buzë tij, të cilat shërbenin turistëve në çdo stinë.

“Na pëlqen ta vizitojmë këtë vend, edhe kur kishte pak ujë ka qenë atraksion. Tash është i tharë krejt, por prapë vijmë,” tha për RTK-në vizitori Shemsi Suka.

Banorët dhe afaristët lokalë shprehen se mungesa e ujit jo vetëm që ka zbehur bukurinë e peizazhit, por ka sjellë edhe krizë në aktivitetin turistik.
“Përveç si ambient dhe klimë, liqeni ka qenë pasuri edhe për florën e faunën. Sot pronarët e bizneseve ankohen, sepse kjo gjendje ua ka vështirësuar punën,” u shpreh banori Bedri Hoxha.

Ndërsa afaristi Liridon Arifaj theksoi se pamja e liqenit dhe e Pashtrikut sollnin më shumë mysafirë. “Kur kishte ujë, kishim vizitorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Tash që është tharë, nuk kemi çka bëjmë, është punë e Zotit, por ndikon edhe hidrocentrali,” tha ai.

Edhe në anën tjetër të kufirit, në Shqipëri, Liqeni i Fierzës po shënon rënie të ndjeshme të nivelit të ujit. Nga kuota maksimale prej 296 metrash, aktualisht niveli ka zbritur në vetëm 270 metra – një diferencë alarmante prej 26 metrash, që ka lënë brigje të thata dhe ka vështirësuar ujitjen e fshatrave përreth.

Megjithatë, tharja ka nxjerrë në pah edhe kujtime të së kaluarës. Në shtratin e zbrazët të liqenit shihen gurë kufiri, rrugë të harruara dhe ndërtesa të vjetra, që dikur u mbuluan nga uji. Për banorët e zonës, kjo mund të shndërrohet edhe në atraksion turistik, duke kujtuar historinë dhe lidhjet e dikurshme mes fiseve në të dy anët e kufirit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button