Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi sërish para Speciales – Mbrojtja kundërshton afatin për paraqitjen e rastit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot po mbahet një konferencë statusore në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të katërt janë deklaruar të pafajshëm. Gjatë seancës së sotme, vetëm Krasniqi po merr pjesë përmes video-lidhjes, ndërsa tre të tjerët janë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit.
Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, ka ngritur shqetësim lidhur me afatin që u është dhënë për përgatitjen e mbrojtjes. Ai tha se gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për një afat 10-javor, duke ia reduktuar atë në vetëm 2 javë.
“Ky afat është barrë e madhe për ekipin e mbrojtjes,” deklaroi Misetiq, duke theksuar se, sipas vendimit të gjykatës, mbrojtja duhet të nisë paraqitjen e rastit më 25 gusht.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka vlerësuar se koha e dhënë është e mjaftueshme. Ndërkohë, trupi gjykues rikujtoi se që në tetor të vitit të kaluar, mbrojtja ishte pyetur për afatet e përgatitjes, ku ishte deklaruar se do të mjaftonin 4 deri në 6 javë.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur në prill të vitit 2023. Nga fillimi i procesit, ZPS ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale dhe ka thirrur 125 dëshmitarë. Më 16 prill të këtij viti, prokuroria njoftoi përmbylljen e paraqitjes së provave.
Sipas aktakuzës, të katër të akuzuarit, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së, dyshohet se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” me synimin për të marrë dhe ruajtur kontrollin mbi të gjithë territorin e Kosovës, përmes mjeteve si frikësimi, dhuna, dhe eliminimi i atyre që i konsideronin kundërshtarë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga 4 dhe 5 nëntori 2020.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, dhe ndonëse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ato funksionojnë në Hagë me staf ndërkombëtar.