Thaçi kërkon nga Apeli rrëzimin e aktakuzës për administrimin e drejtësisë

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka kërkuar nga Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara që të shpallë të pavlefshëm vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, për konfirmimin e aktakuzës ndaj tij për administrim të drejtësisë.
Avokatja Sophie Menegon argumenton se Masselot nuk kishte kompetencë ligjore për ta bërë këtë, pasi sipas mbrojtjes, një gjyqtar nuk mund të marrë vendime në dy faza të ndryshme të së njëjtës çështje. Në parashtrimin e saj, ajo thekson se rolin e dyfishtë e kanë ushtruar edhe gjyqtari Nicolas Guillou dhe më pas Masselot, duke shkelur Nenin 33(4) të Ligjit të DhSK-së.
Sipas mbrojtjes, konfirmimi i aktakuzës nga Masselot është i pavlefshëm dhe për këtë arsye kërkohet që aktakuza të hidhet poshtë. Në ankesë theksohet gjithashtu se Prokuroria ka krijuar procedura paralele, duke kufizuar trupin gjykues në rastin për krime lufte nga menaxhimi i disa çështjeve themelore.
Gjyqtarja Masselot kishte refuzuar më herët kërkesat e mbrojtjes, duke theksuar se emërimi i saj ishte kompetencë e kryetares së gjykatës. Megjithatë, Apeli ka lejuar shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe pritet të marrë vendim.
Hashim Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai po gjykohet për krime lufte, ndërsa vitin e kaluar ndaj tij u ngrit edhe aktakuzë për administrim të drejtësisë.