Teutë Rrusta reagon ndaj Ministrisë së Drejtësisë: “Lufta çlirimtare nuk përkthehet në shifra”

Aktivistja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Teutë Rrusta, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Drejtësisë pas publikimit të shifrave që lidhen me mbështetjen financiare për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Rrusta ka kritikuar ashpër mënyrën se si qeveria po e trajton këtë çështje, duke e cilësuar si të papranueshme përpjekjen për ta reduktuar procesin në kosto financiare.
“Çështja për të cilën bëhet fjalë nuk përkthehet në shifra. Dëmi është i përmasave historike, por kjo rryma politike që dominon sot në politikën vendore e sheh luftën çlirimtare si diçka që ka qenë e shmangshme, rrjedhimisht po na kushton,” ka shkruar Rrusta.
Ajo ka vlerësuar se pikërisht kjo qasje tregon distancimin politik nga trashëgimia e luftës çlirimtare dhe e sheh këtë si një tendencë të qëllimshme për ta relativizuar sakrificën e UÇK-së në emër të pragmatizmit politik.
Deklarata e saj vjen në kohën kur Ministria e Drejtësisë ka publikuar të dhëna për shumën e ndarë deri më tani për të mbështetur mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.