Kosova

Tërheqja nga Kushtetuesja dhe kritikat për Specialen: Pikat kryesore nga deklaratat e Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka tërhequr kërkesën e saj të dorëzuar më 22 korrik në Gjykatën Kushtetuese, që lidhej me interpretimin e seancës konstituive të Kuvendit. Në një konferencë për media të martën, Osmani bëri të ditur se vendimi për të tërhequr kërkesën erdhi pas caktimit të gjyqtarit serb, Radomir Laban, si raportues i çështjes.

Sipas saj, Laban është identifikuar nga institucionet e sigurisë së Kosovës si rrezik për sigurinë kombëtare, mbi bazën e raporteve të hartuara në vitet 2018, 2021 dhe 2024. “Kjo tërheqje ishte e domosdoshme. Është e papranueshme që rendi kushtetues i Republikës së Kosovës të mbrohet nga dikush që, sipas institucioneve tona të sigurisë, e rrezikon atë rend”, u shpreh presidentja.

Osmani theksoi se emërimi i Labanit në vitin 2018 është ende në fuqi dhe se procedurat për shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese janë të ndërlikuara, pasi kërkojnë votën e dy të tretave të anëtarëve të saj. Kjo, sipas saj, e kufizon rolin e Presidencës në ndërhyrje të drejtpërdrejta.

Presidentja u bëri thirrje deputetëve që, pas shpalljes së vendimeve në rastet e ngritura nga PDK dhe LDK, të kërkojnë interpretime shtesë nëse mbeten paqartësi. “Deputetët e Republikës së Kosovës kanë mandat të plotë për t’iu drejtuar Kushtetueses. Shpresoj që për çështje kaq delikate të mos përcaktohet sërish i njëjti gjyqtar si raportues,” deklaroi ajo.

Osmani u shpreh gjithashtu se nuk do të inkurajonte asnjë institucion që të linte një çështje të ndjeshme në duart e një gjyqtari të dyshimtë për sigurinë kombëtare.

Në të njëjtën konferencë, presidentja komentoi edhe mbi punën e Gjykatës Speciale, duke kritikuar pranimin e materialeve të dërguara nga Serbia. “Është jashtëzakonisht problematike që një gjykatë e krijuar nga Kosova të pranojë prova nga një shtet si Serbia, që ka prodhuar sistematikisht materiale të falsifikuara kundër popullit shqiptar dhe UÇK-së. Këto janë përpjekje për të rishkruar historinë”, theksoi Osmani.

Ajo bëri thirrje për unitet institucional dhe qytetar në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Kujtojmë se presidentja Osmani kishte kërkuar interpretimin nga Kushtetuesja lidhur me pasojat nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Afati përfundoi më 26 korrik, ndërsa Gjykata ka vendosur një masë të përkohshme që ndalon veprimet e mëtejshme të deputetëve deri më 8 gusht. Ndërkohë, Gjykata po shqyrton edhe kërkesat e paraqitura nga PDK dhe LDK për të njëjtin proces.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button