Tentoi ta merrte me forcë mbesën, arrestohet burri në Vushtrri – i gjenden edhe armë pa leje

Një burrë është arrestuar nga Policia në Vushtrri, pasi dyshohet se ka tentuar që me forcë ta marrë mbesën e tij nga nëna e saj, përkundër kundërshtimeve të nënës dhe të vetë fëmijës.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 27 qershor rreth orës 14:30 në Vushtrri. I dyshuari, i cili është vjehrri i viktimës, dyshohet se ka ushtruar presion dhe ka tentuar që të marrë fëmijën për t’u përkujdesur vetë për të, duke anashkaluar vullnetin e nënës biologjike dhe të vajzës së mitur.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe një pushkë ajrore, të cilat dyshohet se i posedonte pa leje.
Me urdhër të prokurorit të çështjes, pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti është cilësuar si “Marrje e kundërligjshme e fëmijës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.