Kosova

Tentim kontrabande në Aeroportin e Prishtinës – Kapen mallra luksoze të padeklaruara nga një udhëtar nga Gjermania

Një rast i tentim kontrabande është parandaluar mëngjesin e sotëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ku një udhëtar i ardhur nga Gjermania është kapur me mallra luksoze të padeklaruara me vlerë të konsiderueshme.

Sipas Doganës së Kosovës, udhëtari kishte kaluar nëpër kanalin e gjelbër në Pikën Kufitare të Aeroportit – Arritje, duke nënkuptuar se nuk kishte mallra për të deklaruar. Megjithatë, pas dyshimeve të ngritura nga pamjet e skanerit, zyrtarët doganorë kanë vendosur të kryejnë kontroll të detajuar të bagazheve të tij.

Gjatë kontrollit janë zbuluar dy orë dore luksoze me vlerë mbi 12,628.80 euro, ndërsa vlera e taksave të papaguara kap shifrën 3,763.38 euro.

Bazuar në nenin 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës, ndaj udhëtarit është iniciuar procedurë kundërvajtëse për mosdeklarim të mallit, ndërsa mallrat janë sekuestruar përkohësisht deri në përfundim të procedurave të mëtejme ligjore.

Dogana e Kosovës ka bërë thirrje për qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë detyrimet ligjore dhe të deklarojnë mallrat që bartin gjatë hyrjes në vend, duke kujtuar se mospërmbushja e këtij obligimi mund të sjellë pasoja të rënda financiare dhe ligjore.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button