Tension në Vorë: Banda e Xhabaftëve përplaset me Flamur Nokën pranë qendrës së votimit

Situata në Vorë është tensionuar sot gjatë procesit të votimit, pasi grupi i njohur si “Banda e Xhabaftëve” ka ushtruar presion ndaj votuesve në këtë zonë. Prania e tyre pranë qendrës së votimit ka krijuar shqetësim mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës.
Ngjarja kulmoi me mbërritjen e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili, së bashku me deputeten Albana Vokshi, ka kërkuar që personat në fjalë të largohen nga ambientet e qendrës së votimit dhe të mos intimidojnë qytetarët.
Përplasja më e ashpër ndodhi mes Nokës dhe një prej anëtarëve të grupit, Bert Xhabafti, i cili i kërkoi sqarime për praninë e tij në atë zonë. Situata u acarua për pak çaste, por ndërhyrja e policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Partia Demokratike ka akuzuar publikisht se prania e grupeve të tilla kriminale pranë qendrave të votimit është një përpjekje për të ndikuar në vullnetin e votuesve, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.