Kosova

Temperaturat ekstreme rikthehen këtë fundjavë – mbi 40°C në disa zona

Pas një rënie të lehtë të temperaturave maksimale sot, ku termometri pritet të shënojë deri në 34°C deri 36°C, vendi do të përballet sërish me një valë të nxehti intensiv nga dita e enjte, paralajmëron platforma “Mendimi për Motin”.

Sipas parashikimeve, temperaturat do të nisin të rriten gradualisht duke kulmuar të premten dhe të shtunën me vlera që pritet të arrijnë 38°C deri në 39°C, ndërsa në disa zona të izoluara, maksimalet mund të tejkalojnë sërish pragun e 40°C.

Edhe pse sot parashikohet një pasdite me zhvillime të pjesshme të vranësirave, kryesisht mbi zonat malore, me mundësi për ndonjë rrebesh të shkurtër shiu dhe bubullima, moti në përgjithësi mbetet me diell dhe shumë i nxehtë. Temperaturat minimale gjatë natës luhaten ndërmjet 18°C dhe 20°C, duke ruajtur karakterin tropikal të netëve të fundit.

Ndryshime më të ndjeshme parashikohen nga dita e diel, kur rriten gjasat për reshje më të përhapura shiu, ndërkohë që temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme, duke u afruar me vlerat mesatare sezonale – 28°C deri 29°C në maksimum.

Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, kryesisht nga drejtimet veriore sot (4-8 m/s), ndërsa nga fundjava do të vijojë nga perëndimi dhe jugperëndimi me shpejtësi 3-8 m/s.

Autoritetet dhe meteorologët apelojnë për kujdes të shtuar ndaj temperaturave ekstreme dhe rrezikut nga zjarret në terren.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button