
Televizioni publik gjerman, ARD, raporton sot se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të lira dhe të ndershme. Sipas ARD, Rama kërkon të mbajë pushtetin me mjete të padrejta. Më poshtë raportimi i medias së njohur
Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, po i paraprin një mandat i katërt. Partia e tij Socialiste arriti shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Që zgjedhjet nuk ishin të ndershme, këtë nuk e dyshon vetëm opozita.
Edi Rama siguron shumicën absolute në parlamentin në Tiranë. Më shumë se 80 nga 140 vende pritet të shkojnë për socialistët. Rama nuk është shprehur ende. Më zëshëm reagon kreu i opozitës, Sali Berisha. Partia e tij Demokratike doli forca e dytë më e madhe. Berisha flet për blerje votash nga qeveria. Kjo e fundit, dy ditë para zgjedhjeve, miratoi një lloj amnistie për gjoba në shkallë të gjerë: 170.000 njerëz u liruan nga pagesa e gjobave të prapambetura.
Për Berishën, kjo ishte një dhuratë elektorale: “Ju e patë vetë që dy net para zgjedhjeve u falën gjoba me vlerë 150 milionë euro. Ju mund t’i vlerësoni vetë këto zgjedhje,” tha ai. Berisha u bëri thirrje mbështetësve të tij për protesta.
OSBE: Kushte të pabarabarta
Kritika vjen edhe nga vëzhguesit e zgjedhjeve nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Sipas tyre, kushtet nuk ishin të barabarta për të gjitha partitë.
Farah Karimi nga misioni i vëzhguesve të OSBE-së tha se partia në pushtet përfitoi gjerësisht nga burimet shtetërore gjatë fushatës zgjedhore dhe kështu siguroi një avantazh të padrejtë. Për më tepër, ka indikacione se është ushtruar presion mbi votuesit.
Pak informim i pavarur
Në veçanti punonjësit e administratës publike janë detyruar të votojnë për partinë në pushtet. Për të gjithë votuesit ishte gjithashtu e vështirë të informoheshin në mënyrë të pavarur përmes mediave, shton Karimi.
“Konsolidimi i sektorit mediatik, minimi i burimeve të ndryshme të informacionit dhe vetëcensura e gazetarëve, si dhe dominimi i dy partive më të mëdha në mbulim, kufizuan aftësinë e qytetarëve për të marrë një vendim të informuar,” tha Karimi.
“Rrezik për rrugën drejt Europës”
Vëzhguesit e zgjedhjeve kritikuan gjithashtu faktin që Shqipëria ka injoruar prej vitesh një sërë rekomandimesh për reforma demokratike të sistemit zgjedhor.
Eurodeputeti gjerman Michael Gahler nga CDU e konsideron këtë si një rrezik për rrugën europiane të Shqipërisë: “Ky vend nuk do t’i bashkohet Bashkimit Europian në gjendjen ku ndodhet aktualisht. Por mund të ndryshojnë shumë gjëra për mirë. Prandaj i këshilloj të gjithë aktorët të marrin seriozisht këto rekomandime,” tha Gahler.