Të shtëna pranë zyrës elektorale të PSD në Tiranë, shpallet në kërkim Arjan Telhallari

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë mesditë në zonën e Ali Demit në Tiranë, ku pranë zyrës elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD), janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Ngjarja ka alarmuar banorët e zonës, ndërsa policia ka ndërhyrë menjëherë.
Sipas burimeve të Syri TV, gazetari Klajdi Bodlli raporton se personi i shpallur në kërkim për këtë incident është Arjan Telhallari. Ai dyshohet se ka hyrë në zyrën elektorale të PSD-së dhe është përfshirë në një përleshje me persona që ndodheshin aty. Ende nuk dihet shkaku i konfliktit, por dyshohet se ngjarja ka lidhje me një përplasje të mëhershme mes djalit të Telhallarit dhe dy personave në zyrë, çka mendohet se ka çuar më pas në përfshirjen e të atit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka gjetur dy fishekë luftarak të paplasur dhe është konstatuar dëmtim i xhamave të zyrës, që dyshohet të jetë shkaktuar nga përdorimi i sendeve të forta. Nuk raportohet për persona të lënduar nga të shtënat.
Forca të shumta policie dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit. Personat e përfshirë janë larguar nga vendi me një automjet dhe aktualisht janë në kërkim.
Në një njoftim zyrtar, Policia e Tiranës bën me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, dhe vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të rastit.
Deri më tani, ende nuk ka një reagim nga përfaqësuesit e PSD-së për këtë incident.