Lajme

Të rinjtë që punojnë nga shtëpia bëjnë më pak aktivitet fizik, zbulon studimi

Të rinjtë që punojnë nga shtëpia kryejnë rreth 30 minuta më pak aktivitet fizik në ditë, krahasuar me ata që shkojnë në zyrë, sipas një studimi të ri të publikuar në International Journal of Behavioral Nutrition and Physical Activity.

Studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit dhe Imperial College London analizuan të dhënat e një ankete kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë të rinj të moshës 16 deri në 30 vjeç. Ata zbuluan se fillimi i punës ndikon ndjeshëm në stilin e jetesës, përfshirë nivelin e aktivitetit fizik, gjumin dhe dietën.
Sipas gjetjeve, personat që punojnë nga shtëpia përjetojnë një rënie mesatare prej 32 minutash në aktivitetin fizik të moderuar çdo ditë. Ndërkohë, ata që udhëtojnë për në punë, përfitojnë rreth 28 minuta më shumë aktivitet fizik në ditë, përmes ecjes, çiklizmit ose aktiviteteve të tjera të ngjashme.

Në total, u analizuan të dhënat e 128 personave që punonin nga shtëpia dhe më shumë se 3,000 të tjerëve që punonin në ambiente të ndryshme pune. Rritje e aktivitetit fizik u vu re sidomos tek të punësuarit në profesione gjysmë-rutine si shoferë, parukierë dhe kamarierë, ndërsa ndryshime më të vogla u raportuan tek ata me pozita menaxheriale apo zyre.

Dr. Eleanor Winpenny, autorja kryesore e studimit, thekson rëndësinë e qëndrimit aktiv për mirëqenien afatgjatë: “Ata që punojnë nga shtëpia duhet të përpiqen të integrojnë lëvizjen në rutinën e përditshme, për shembull përmes një shëtitjeje para ose pas punës”.

Bashkëautorja Alena Oxenham shton se fillimi i një pune mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në stilin e jetës që ndikojnë në shëndet: “Edhe pse mesatarisht vërehet rritje e aktivitetit fizik, disa kategori, veçanërisht punonjësit nga shtëpia, janë më të rrezikuar për të pasur një stil jetese më pasiv”.

Studiuesit apelojnë për ndërgjegjësim të shtuar ndaj këtyre ndikimeve dhe inkurajojnë të rinjtë të mbajnë një stil jete aktiv, pavarësisht mënyrës së punës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button