Lajme

Të huajat magjepsen nga tradita shqiptare – mësojnë thurjen e qilimave në Korçë

Korça, qyteti i njohur për artizanatin dhe trashëgiminë e pasur kulturore, ka tërhequr këtë herë tri vajza të huaja që po mësojnë mjeshtërinë e thurjes së qilimave tradicionalë.

Njëra prej tyre, Burcu Ozan nga Turqia, ka një lidhje të veçantë me vendin tonë. Nëna e saj është me origjinë nga Korça, ndërsa babai turk. Për të, thurja e qilimave është më shumë se një pasion – është rikthim tek rrënjët e familjes.
“Jam Burxhu, jetoj prej 8 vitesh në Shqipëri. Jam me origjinë nga Korça, mami nga Korça dhe babi nga Turqia, ndërsa tani jetoj në Tiranë. E kam shumë qejf të bëj punëdore e të mësoj diçka ndryshe. Kjo është hera e parë për mua dhe më pëlqeu shumë, është shumë tradicionale. Nuk e di nëse jam mirë, por do të provoj më shumë për një projekt më të madh,” – tha ajo.

Përkrah Burxhusë, një vajzë nga Tajvani dhe një tjetër nga Anglia janë mahnitur nga bukuria e traditave shqiptare dhe kanë zgjedhur të mësojnë këtë zanat shekullor.
“Përherë e pyesja veten a mund të bëj një qilim të bukur, kur e pashë për herë të parë te Pazari i Vjetër në Korçë. Jam shumë e lumtur që po mësoj tani. Më pëlqen tradita shqiptare. Nëse bëj një qilim, do ta marr me vete në Tajvan,” – u shpreh Min Chih.

Ndërsa vajza nga Anglia tregon se ishte frymëzuar nga një mundësi që e pa online:
“E pamë këtë mundësi në internet dhe gjithmonë kam dashur të mësoj të thurr qilima. Erdha kastile nga Tirana në Korçë për të mësuar. E dua traditën shqiptare dhe shpresoj që një ditë t’i bëj vetë.”

Kjo iniciativë është pjesë e një sipërmarrjeje artizanale në Korçë, e cila u jep vajzave të reja mundësinë të mësojnë dijebërjen e qilimave të vjetër çdo javë në Qendrën Rinore të qytetit, aty ku tingujt e tezgjahut bashkohen me frymën rinore dhe trashëgiminë brez pas brezi.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button