Takimi Kurti-Krasniqi nis: A do të tërhiqet LVV nga mbështetja për Haxhiun?

Ka nisur takimi ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Kuvend.
Para takimit, as Kurti dhe as Krasniqi nuk folën për gazetarët.
Kurti, të mërkurën, u dërgoi ftesa për takim kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili refuzoi të merrte pjesë.
Krasniqi shkroi mbrëmë në Facebook se e ka pranuar ftesën “duke besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë”.
Ai tha se e inkurajon Kurtin që “të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një Qeveri legjitime e funksionale”. Në këtë kontekst, Krasniqi tha se “gjetja e një kandidateje apo kandidati të përshtatshëm, që gëzon mbështetjen e shumicës së deputetëve, do të ishte një hap i rëndësishëm përpara”.
LVV-ja, për kryetare të Kuvendit, e ka propozuar disa herë radhazi Albulena Haxhiun, e cila po aq herë ka dështuar t’i marrë 61 votat e nevojshme, gjë që e ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.