Kosova

Supremja shfuqizon pjesërisht Rregulloren e UP-së për avancimin e personelit akademik

Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)” kundër të paditurit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka njoftuar se ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për shqyrtimin e ligjshmërisë së dispozitave të Rregullores Nr. Prot. 1/282, datë 03.06.2025, për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Me aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme thotë se ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 18 paragrafi 7 të kësaj rregulloreje, i cili i rezervonte Senatit të Universitetit të Prishtinës të drejtën që “në çdo moment ta tërheqë njohjen e publikimit në revistat e dyshimta ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit”.

“Gjykata vlerësoi se kjo dispozitë nuk mbështetet në autorizim të mjaftueshëm ligjor apo statutar, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, si dhe cenon parimet e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe pritshmërisë legjitime të kandidatëve në procedurat akademike”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se nocionet “revista të dyshimta” dhe “botues të dyshimtë” nuk janë të përkufizuara qartë në legjislacionin në fuqi, ndërsa dispozita e kontestuar nuk përcakton kritere objektive, procedura vendimmarrëse apo mjete juridike mbrojtëse për kandidatët, duke krijuar hapësirë për arbitraritet administrativ.

Supremja tha se vlerësimi i publikimeve shkencore “duhet të bazohet në statusin e revistës dhe indeksimit në momentin e publikimit të punimit shkencor, ndërsa zhvillimet e mëvonshme lidhur me statusin e revistës nuk mund të prodhojnë pasoja retroaktive për kandidatët, për aq kohë sa nuk provohet shkelje nga vetë autori”.

Sa i përket pjesës tjetër të kërkesëpadisë, Gjykata Supreme tha se e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e fusnotës 16 të së njëjtës rregullore.

Gjykata ka vlerësuar se “fusnota, në aspektin juridik, ka karakter shpjegues dhe jo normativ, rrjedhimisht nuk përbën dispozitë të pavarur juridike me efekt detyrues”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button