Sulmohen dy policë në Viti, një nga të dyshuarit në arrati – reagon Sindikata e Policisë

Dy zyrtarë policorë janë sulmuar fizikisht mbrëmjen e së enjtes në fshatin Drobesh të Vitisë, gjatë një operacioni për arrestimin e tre personave të dyshuar. Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit të saj ditor të publikuar këtë të premte, më 2 gusht.
Sipas raportit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 1 gusht, rreth orës 20:00, kur dy policë hasën në rezistencë nga tre persona gjatë përpjekjes për t’i arrestuar. Ata u sulmuan fizikisht, ndërsa më pas kërkuan ndihmë mjekësore.
“Dy viktima meshkuj kosovarë – zyrtarë policorë – kanë hasur në rezistencë gjatë tentim-arrestimit të tre personave të dyshuar, të cilët i kanë sulmuar fizikisht. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy nga të dyshuarit janë arrestuar, kurse njëri gjendet në arrati”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, njëri prej të arrestuarve është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.
Reagon Sindikata e Policisë: Dhuna ndaj zyrtarëve është e papranueshme
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, duke e quajtur shqetësues dhe të papranueshëm sulmin ndaj zyrtarëve policorë. Në një komunikatë për media, Sindikata i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të tregojnë qasje të vendosur dhe të pakompromis ndaj kujtdo që sulmon policinë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për sulmin e papranueshëm ndaj dy zyrtarëve policorë në Viti. Dhuna ndaj pjesëtarëve të Policisë është e papranueshme dhe kërkon ndëshkim të menjëhershëm”, thuhet në reagim.
Sindikalistët i kanë bërë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë urdhrat ligjorë të policisë dhe të mos ushtrojnë rezistencë, pasi një sjellje e tillë përbën vepër penale dhe rrezikon sigurinë publike.
“Policia e Kosovës është mburoja e qytetarëve tanë dhe garantuese e rendit kushtetues – prandaj meriton respekt dhe mbështetje të vazhdueshme. Sindikata e Policisë do të qëndrojë gjithmonë në përkrahje të secilit zyrtar në përmbushje të misionit të tij ligjor dhe profesional”, përfundon reagimi i sindikatës.