Kosova

Sukses i jashtëzakonshëm i studentëve të Juridikut të UP-së në “Nuremberg Moot Court 2025”

Pesë studente të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë shënuar një arritje të madhe ndërkombëtare, duke u renditur në vendin e gjashtë në garën prestigjioze “Nuremberg Moot Court 2025”.

Në këtë garë elitare morën pjesë 140 ekipe nga universitete dhe fakultete juridike të njohura në mbarë botën. Vetëm 40 prej tyre arritën të kualifikohen në rundet finale me gojë, përfshirë edhe ekipin përfaqësues të Fakultetit Juridik të UP-së. Në fund, ky ekip u pozicionua ndër gjashtë më të mirët në rang global, një sukses që flet shumë për nivelin profesional të studentëve dhe përgatitjen e tyre akademike.

Rundet finale të garës u zhvilluan në ambientet historike të Gjykatës së Nurembergut – konkretisht në Sallën Nr. 600 – aty ku dikur janë gjykuar udhëheqësit nazistë për krimet e luftës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ngjarja u mbajt nga data 23 deri më 26 korrik 2025 në Nuremberg, Gjermani.

“Nuremberg Moot Court” është një ndër garat më të njohura ndërkombëtare për të drejtën penale ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Që nga viti 2022, pas reformave në Fakultetin Juridik të UP-së, pjesëmarrja në këtë garë është bërë pjesë e programit të përhershëm të fakultetit dhe financohet nga buxheti i dedikuar për këtë qëllim.

Ky sukses i radhës tregon rritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsimin juridik në Kosovë dhe përgatitjen e kuadrove të rinj për sfidat ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button