Sport

Suedia barazon me Slloveninë, Tomasson sqaron mungesën e Isakut dhe vendimet taktike

Suedia nuk shkoi më shumë se një barazim 2–2 në transfertë kundër Sllovenisë, në një sfidë ku dy herë kaloi në epërsi dhe dy herë e humbi atë.

Pas takimit, trajneri Jon Dahl Tomasson u vendos në qendër të vëmendjes për zgjedhjet e tij, sidomos për mosaktivizimin e sulmuesit Alexander Isak. Ai shpjegoi se gjendja fizike e lojtarit nuk lejonte rrezikime pas periudhës së gjatë pa ndeshje dhe mungesës së një parasezoni normal, pas transferimit të tij nga Newcastle te Liverpool.
“Do të kisha dashur shumë ta fusja në lojë, si edhe të gjithë ne. Madje edhe tifozët e Sllovenisë do të kishin dëshiruar ta shihnin. Por pas vetëm tre stërvitjeve me ekipin dhe tre muajve pa ndeshje, rreziku ishte i madh. Duhet të mendojmë së pari për personin Alexander”, tha Tomasson.

Një tjetër vendim i diskutuar ishte largimi nga fusha i Anthony Elangës, autor i një goli, i cili u zëvendësua pas një ore lojë. “U lodh, dhe në të njëjtën kohë Sllovenia po depërtonte lehtë në krahun tonë të djathtë”, sqaroi tekniku, duke shtuar se hyrja e Benjamin Nygren solli freski dhe ndikoi në golin e dytë të Suedisë.

Megjithatë, skuadra skandinave nuk arriti ta mbyllte ndeshjen me fitore, pasi pranoi golin e barazimit në minutën e fundit. I pyetur nëse mund të kishte bërë ndonjë ndryshim tjetër, Tomasson u shpreh i prerë: “Është e vështirë të heqësh një sulmues për të futur një mbrojtës shtesë. Kjo do të na bënte pasivë në zonën tonë të rreptësisë, që nuk është cilësia jonë kryesore.”

Sa i përket ndeshjes së radhës kundër Kosovës, që do të luhet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, trajneri nuk dha garanci për ndryshime. “Duhet të presim raportet nga stafi mjekësor. Lojtarët u lodhën shumë dhe do të shohim gjendjen e tyre”, tha ai.

Kosova nga ana tjetër vjen pas një humbjeje të thellë 4–0 ndaj Zvicrës në startin e kualifikimeve për Botërorin 2026.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button