Subvencionimi i librave, i pamjaftueshëm për prindërit – çmimet e rritura rëndojnë xhepat e qytetarëve

Me 1 shtator nisi zyrtarisht viti i ri shkollor në vend, por ende pa filluar mësimi janë evidentuar problemet e para, sidomos me sigurimin e librave.
Ministria e Arsimit ka vendosur të ndajë nga 80 euro për secilin nxënës për blerjen e teksteve shkollore. Mirëpo, kjo shumë po konsiderohet e pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha nevojat.
Gazetarja Drita Loshi ka publikuar një video ku shfaqen disa nga librat me çmime të rritura, duke e bërë edhe më të vështirë situatën për prindërit.
“Shqetësuese! Mashtrimi me çmime bëhet vetëm aty ku mungon çdo kontroll. Fatkeqësisht, viktima mbeten prindërit që mezi ia dalin të kompletojnë librat e fëmijëve. Subvencionimi nuk e mbulon vlerën e plotë as të librave, e lëre më të fletoreve e pajisjeve të tjera të domosdoshme për shkollë. Dhe kështu, barra bie sërish mbi supet e qytetarëve”, ka shkruar Loshi.
Prindërit ankohen se përveç librave, duhet të sigurojnë edhe fletore, mjete shkollore dhe pajisje të tjera, duke e bërë koston totale shumë më të lartë se shuma e subvencionuar nga shteti.