Subjektet politike ende pa dorëzuar kandidatët për zgjedhjet lokale – Afati përfundon për më pak se 40 ditë

Krahas krizës politike në nivelin qendror për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, partitë politike po përballen me një tjetër sfidë: përgatitjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale.
Përkundër faktit se kanë kaluar më shumë se tre muaj nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, subjektet politike ende nuk kanë dorëzuar zyrtarisht listat me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe kuvende komunale. Më pak se 40 ditë kanë mbetur deri në përfundimin e afatit për aplikim.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KosovaPress se, ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga hapja e afatit për dorëzim të aplikimeve, asnjë subjekt politik nuk e ka përmbyllur këtë proces.
“Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ-ja ka vënë në dispozicion një platformë online për dorëzimin e listave të kandidatëve. Megjithatë, deri më tani, nuk kemi pranuar asnjë aplikim zyrtar nga subjektet politike,” deklaroi Elezi.
Sipas tij, përfaqësuesit e autorizuar të iniciativave qytetare dhe kandidatëve të pavarur duhet të plotësojnë të dhënat përmes platformës apliko.kqz-ks.org. Ndërkohë, partitë dhe koalicionet politike tashmë janë pajisur me kredencialet e nevojshme për qasje direkte në sistem.
Pas dorëzimit të aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të lëshojë qasjen për finalizimin e aplikimit.
Elezi theksoi se të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen një procesi verifikimi në bashkëpunim me institucione të tjera, për të siguruar që janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Ky nen parandalon kandidimin e personave që, ndër të tjera, kanë funksione të papajtueshme publike, janë dënuar me burg efektiv në tri vitet e fundit, apo kanë shkelur urdhra dhe gjoba të vendosura nga institucionet zgjedhore.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajt e ardhshëm, por ngërçi në nivelin qendror dhe vonesat në procesin e aplikimit për kandidatët lokalë mund të krijojnë sfida shtesë për organizimin e procesit zgjedhor.