Kuriozitete

Studim i ri: Beta-HPV mund të integrohet në ADN dhe të shkaktojë kancer

Një studim i publikuar së fundmi ka zbuluar se një tip i zakonshëm i virusit human papilloma (HPV), i njohur si beta-HPV, mund të jetë shumë më i rrezikshëm sesa mendohej deri më tani. Përveç përkeqësimit të dëmtimeve të lëkurës të shkaktuara nga rrezatimi UV, ky virus mund të integrohet drejtpërdrejt në ADN-në e qelizave dhe të nxisë zhvillimin e kancerit, veçanërisht tek personat me sistem imunitar të dobësuar.

Rasti që hapi rrugën për këtë zbulim ishte ai i një gruaje 34-vjeçare, e cila vuante nga karcinoma e qelizave skuamoze (cSCC) në ballë. Pavarësisht trajtimeve intensive dhe operacioneve të shumta, tumoret riktheheshin vazhdimisht. Analiza gjenetike tregoi se beta-HPV ishte integruar në ADN-në e qelizave të saj, duke prodhuar proteina që përshpejtonin zhvillimin e kancerit – rasti i parë i dokumentuar i këtij fenomeni.

Pacientja kishte një çrregullim të rrallë të imunitetit, që pengonte qelizat T të luftonin virusin. Si pasojë, ajo vuante edhe nga simptoma të tjera të HPV-së, si lythat në lëkurë dhe gojë. Pas zbulimit të shkakut të sëmundjes, mjekët aplikuan një terapi të synuar – transplantimin e qelizave staminale të palcës kockore. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm: kanceri u zhduk plotësisht dhe nuk ka shenja rikthimi pas tre vitesh.

Sipas ekspertëve, ky zbulim tregon rëndësinë e qasjes së personalizuar në trajtimin e kancerit dhe hap mundësi të reja për terapi tek pacientët me imunitet të dobësuar. Ai gjithashtu sugjeron se viruse të tjerë si alfa-HPV, që shkakton kancerin e qafës së mitrës, mund të trajtohen më me sukses në të ardhmen.

Specialistët theksojnë se rrezatimi UV mbetet faktori kryesor i kancerit të lëkurës, por beta-HPV mund të ketë një rol të rëndësishëm në raste të veçanta. Ky studim mund të ndryshojë tërësisht mënyrën e të menduarit për diagnostikimin dhe trajtimin e cSCC-së tek personat me defekte imunitare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button