Stojkoviç nën presion e mungesa të shumta para ndeshjes ndaj Shqipërisë

Në qendrën sportive të Staroj Pazovës pranë Beogradit, atmosfera duket e qetë, por trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, është nën stres dhe përballë një situate të vështirë para ndeshjes vendimtare të 11 tetorit ndaj Shqipërisë në Leskovc, e vlefshme për “play-off”-in e Botërorit.
Serbia do të ketë të paktën gjashtë mungesa të rëndësishme, ndërsa lista mund të zgjatet. Gjatë konferencës për shtyp, Stojkoviç i lexoi emrat me ritëm të ngadaltë, duke konfirmuar se Ilic, Lukic, Nedeljkovic, Milinkovic-Savic dhe Katai janë të dëmtuar, ndërsa Milenkovic është i pezulluar. Edhe Lukic, përveç pezullimit, u lëndua gjatë qëndrimit në Angli.
Në dyshim mbetet edhe një nga lojtarët kryesorë, Nemanja Gudelj, që u bashkua me ekipin kombëtar i dëmtuar që nga Spanja. Për të përballuar çdo të papritur, Stojkoviç ka thirrur në kombëtare kapitenin e ri të Partizanit të Beogradit, Vanja Dragojeviç.
Nga ana tjetër, katër lojtarë – Vlahovic, Kostic, Pavlovic dhe vetë Gudelj – iu bashkuan ekipit me vonesë, duke nisur stërvitjet vetëm të martën.
Stojkoviç po përballet gjithashtu me presion të madh nga opinioni publik dhe mediat në Serbi. Në konferencën për shtyp, ai u përgjigj me tone të ashpra ndaj kritikëve.
“Për presionin, nuk mendoj fare. Janë të tjerët që e ndjekin këtë gjë. Ndoshta disa prej tyre bëjnë tifo për Shqipërinë këtë herë, gjë që do të ishte çmenduri. Unë mendoj vetëm për ta përgatitur ndeshjen sa më mirë”, deklaroi ai.
Trajneri i mbiquajtur “Piksi” është sulmuar shpesh nga analistë serbë, përfshirë Rade Bogdanovic, që e ka quajtur të paaftë dhe të lidhur politikisht. Këto akuza janë forcuar pas pjesëmarrjes së tij në mitingun e presidentit Aleksandar Vuçiç në Nish, në maj të këtij viti – një gjest që kritikët e kanë interpretuar si mbështetje të hapur politike.
Megjithë presionin dhe mungesat, Stojkoviç thotë se fokusi i tij mbetet vetëm një: përgatitja e skuadrës për sfidën e madhe ndaj Shqipërisë.



