Starmer nga Tirana: Pa sanksione ndaj Putinit, nuk ka armëpushim

Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se pa vendosjen e sanksioneve të bashkuara ndaj Vladimir Putinit, nuk mund të ketë armëpushim në konfliktin në Ukrainë. Nga Tirana, ku po zhvillohet samiti i Komunitetit Politik Europian, Starmer theksoi rëndësinë e unitetit ndërkombëtar përballë agresionit rus.
“Ajo çfarë pamë dje është një tjetër provë se Putin nuk është serioz sa i takon paqes dhe po e tërheq gjërat zvarrë. Është e rëndësishme që të kemi unitet absolut me aleatët tanë dhe do të diskutojmë edhe sot që të jemi të qartë që duhet të kemi një armëpushim,” tha ai për gazetarët.
Starmer nënvizoi se vendosja e sanksioneve është thelbësore për arritjen e paqes. “Për të qenë të qartë, nëse nuk do të vendosim së bashku për sanksionet, nuk do të ketë armëpushim. Që Putini nuk e do paqen është shumë e qartë,” theksoi kryeministri britanik.
Në samitin që po mbahet në kryeqytetin shqiptar pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, me të cilin Starmer tha se do të diskutojë për hapat e mëtejshëm drejt një përgjigjeje të bashkuar dhe të vendosur ndaj agresionit rus.