Starmer në Tiranë: Sfida më urgjente është paqja në Evropë – Putini duhet të paguajë çmimin nëse refuzon tryezën e bisedimeve

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Europian, që u mbajt sot në Tiranë, dha një mesazh të fortë për sigurinë në kontinent dhe sfidat me të cilat përballet Evropa, duke theksuar se “sfida më urgjente sot është sigurimi i një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Në një deklaratë të qartë përballë liderëve të lartë europianë, Starmer nënvizoi nevojën për më shumë investime në mbrojtje dhe thellim të bashkëpunimit mes aleatëve. “Jemi në një epokë të re, por ajo karakterizohet nga luhatje dhe paqëndrueshmëri. Partneriteti është jetik për të rimëkëmbur sigurinë në Evropë”, u shpreh ai, duke vlerësuar organizimin e takimit në Tiranë si një sinjal të fortë uniteti mes vendeve europiane.
Duke iu referuar situatës në Ukrainë, kreu i qeverisë britanike kujtoi shpalljen e një pakete të re sanksionesh ndaj “flotës hije” ruse si pjesë e presionit ndaj Kremlinit. Ai theksoi se një armëpushim i pakushtëzuar është jetik për të çuar përpara procesin e paqes.
“Nëse Rusia nuk do të ulet në këtë tryezë, Putini duhet të paguajë çmimin. Ajo që ndodhi dje është një provë e mëtejshme që ai nuk e ka seriozisht paqen. Rusia po tërheq këmbët zvarrë dhe po luan lojëra, ndërsa Ukraina ka dëshmuar se është pala e paqes dhe e udhëheqjes,” deklaroi Starmer.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri britanik theksoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të shtuar angazhimin në mbrojtje dhe për të vepruar në unitet me aleatët. “Tani që kemi nxjerrë këtë ultimatum, duhet të jemi të përgatitur,” përfundoi ai.
Me një ton serioz, por edhe miqësor, Starmer përmendi edhe momentin e mbërritjes në Shqipëri: “Do të të kujtoja se kur unë zbrita nga avioni ishte diell. Këto zërat që moti është faji i britanikëve janë krejt të gabuar,” tha ai me humor, duke përshëndetur mikpritjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe rëndësinë e këtij samiti për të ardhmen e kontinentit.