Kosova

SPERTK i jep ultimatum Qeverisë: Deri më 5 gusht të ndahen mjetet për RTK-në, përndryshe nisin protestat

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime urgjente për ndarjen e mjeteve financiare për RTK-në, sipas buxhetit të miratuar nga Kuvendi.

Në një komunikatë për media, SPERTK thekson se RTK ndodhet në një gjendje alarmante financiare dhe çdo vonesë e mëtejshme rrezikon jo vetëm misionin kushtetues të transmetuesit publik, por edhe pagat e qindra punëtorëve.

“Ekzistojnë zgjidhje të plota ligjore për të siguruar funksionimin e transmetuesit publik dhe për të parandaluar kolapsin institucional të RTK-së. Çdo vonesë shtesë ekspozon punëtorët dhe familjet e tyre ndaj pasigurive serioze sociale”, thuhet në komunikatë.

Sipas Sindikatës, RTK nuk ka qenë dhe nuk është barrë për shtetin, por një aset shtetëror i pazëvendësueshëm që kontribuon në informimin e drejtë, përfaqësimin e komuniteteve dhe forcimin e demokracisë në vend.

SPERTK paralajmëron se nëse deri më 5 gusht nuk bëhet alokimi i mjeteve, do të nisin protestat e paralajmëruara dhe do të kërkohet pezullimi i mbulimit të çdo aktiviteti politik nga RTK. Gjithashtu, paralajmërohen edhe hapa ligjorë ndaj përgjegjësve për situatën.

“Sindikatës i takon detyra që të mbrojë të drejtat e punëtorëve dhe misionin e transmetuesit publik. Kërkojmë që RTK të trajtohet me ligjshmëri, përgjegjësi dhe meritokraci, ashtu siç i takon një institucioni që i shërben interesit publik dhe të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës”, përfundon reagimi i SPERTK-ut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button