Kosova
Kryesore

IKKL forcon bashkëpunimin rajonal për ruajtjen e kujtesës historike gjatë një vizite treditore në Mal të Zi

Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), i udhëhequr nga drejtori Atdhe Hetemi, ka realizuar një vizitë zyrtare treditore në Mal të Zi, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Podgoricë dhe Ulqin. Vizita rezultoi me nënshkrimin e disa marrëveshjeve bashkëpunimi dhe dorëzimin e materialeve arkivore që kanë rëndësi për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Hetemi nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, duke u dakorduar për shkëmbim dokumentacioni dhe përvojash. Mbështetje për këtë mision dhanë gjithashtu Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, dhe Sekretari Shtetëror, Astrit Hoxha.

Në Ulqin, në një takim me Kryetarin e Komunës, Genc Nimanbegu, u nënshkrua procesverbali për dorëzim-pranim të materialeve arkivore dhe u theksua gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin institucional në të ardhmen.

Radio Televizioni i Malit të Zi (RTCG) kontribuoi gjithashtu me dorëzimin e materialeve të rëndësishme arkivore, gjatë një takimi me redaktorin e Programit për Pakica, Senad Gilaj, dhe shefin e kabinetit, Predrag Vukçeviq. Një marrëveshje bashkëpunimi u arrit edhe me Televizionin Teuta në Ulqin.

Në Qendrën Kulturore të Shqiptarëve, ekipi i IKKL-së zhvilloi takime me znj. Adriana Hoxha dhe znj. Ardita Rama, ku u diskutua për projekte të përbashkëta kulturore dhe pasurimin e bibliotekës së Ulqinit me botime të institutit.

Vizita kulmoi me një takim të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Podgoricë, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe nën kujdesin e Ambasadores Ariana Zherka dhe Kryetarit Faik Nika. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionesh, mediash, organizatash dhe aktivistë nga Podgorica, Ulqini, Tuzi, Rozhaja dhe Hoti. Gjatë takimit u prezantua misioni i IKKL-së dhe u nënshkruan procesverbale për dorëzim-pranim të materialeve arkivore me figura të njohura të komunitetit shqiptar në Mal të Zi si: Ali Bardhi (Bashkësia Islame në Ulqin), Ismet Kallaba (“Koha Javore”), Gazmend Çitaku (ish-udhëheqës i Mercy Corps), Ali Daci (studiues dhe koleksionues), Albert Bikaj (politolog dhe përkthyes), e të tjerë.

IKKL vlerëson se kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rajonal, si dhe në ruajtjen e kujtesës historike dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button