Spektakël i basketbollit 3×3 në Prishtinë: FIBA Challenger sjell ekipe nga mbarë bota

Për dy ditë me radhë, më 19 dhe 20 korrik, Sheshi “Ibrahim Rugova” në Prishtinë do të shndërrohet në arenë të basketbollit ndërkombëtar, duke pritur turneun FIBA 3×3 Prishtina Challenger, një ngjarje e madhe sportive që tashmë po bëhet tradicionale në kryeqytetin e Kosovës.
Ky event organizohet nga Prishtina 3×3 me mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe do të mbledh 16 skuadra nga mbarë bota, të cilat do të garojnë për lavdi, kualifikim në FIBA World Tour dhe çmime të majme.
Skuadra Valencia është kualifikuar nga edicioni “Lite Quest” në Prizren dhe do të jetë një prej konkurrentëve të fortë në këtë turne. Ndeshjet do të zhvillohen të shtunën nga ora 14:00 deri në 23:00, ndërsa fazat vendimtare – çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja – do të luhen të dielën nga ora 18:00, me ceremoninë përmbyllëse që pritet të mbahet në ora 22:25.
Tri skuadrat më të mira do të fitojnë kualifikimin për World Tour Lausanne, që mbahet më 15-16 gusht 2025, ndërkohë që garuesit do të luftojnë për një fond shpërblimesh prej 60 mijë eurosh, të ndarë kështu:
Vendi i parë: 20,000 €
Vendi i dytë: 15,000 €
Vendi i tretë: 11,000 €
Vendi i katërt: 8,000 €
Vendi i pestë: 6,000 €
Përveç garës së fortë sportive, pjesëmarrësit dhe publiku do të shijojnë një atmosferë të zjarrtë me muzikë live, ngulitje atraktive, lojëra shpërblyese dhe shumë befasi përgjatë dy ditëve të turneut.
FIBA 3×3 Prishtina Challenger pritet të jetë një ngjarje e paharrueshme për dashamirët e sportit dhe të basketbollit urban, duke e kthyer zemrën e kryeqytetit në një festë të vërtetë ndërkombëtare.