Lajme

SPAK sekuestron pasuri me vlerë 12 milionë euro në Durrës – Goditet pasuria e rrjetit kriminal Shqipëri-Itali

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbuluar dhe sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale e një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet në Shqipëri dhe Itali.

Në kuadër të procedimit penal nr. 36/2019, i cili lidhet me veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të parave dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale, SPAK ka regjistruar edhe procedimin pasuror nr. 10/2025, me synimin për të verifikuar pasuritë e të dyshuarve dhe personave të lidhur me ta – një listë që përfshin 52 persona (30 në Shqipëri dhe 22 në Itali).

Me vendimin nr. 36, datë 20.05.2025, Gjykata e Posaçme urdhëroi sekuestrimin e disa pasurive të para, të cilat u ekzekutuan një ditë më pas, më 21 maj. Më tej, hetimet e thelluara zbuluan edhe pasuri të tjera që sipas Prokurorisë janë të lidhura ngushtë me aktivitetin kriminal të grupit. Kërkesa për sekuestrim u miratua nga Gjykata me vendimin nr. 39, datë 20.06.2025, ndërsa ekzekutimi u krye më 27 qershor nga hetuesit financiarë të SPAK dhe strukturat e Policisë së Shtetit.

Të gjitha pasuritë e sekuestruara janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Brendshme.

Lista e pasurive të sekuestruara në Durrës përfshin:
Truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 530.5 m2, në pronësi të E.Z. dhe K.J.;

Ndërtesë dhe njësi të shumta biznesi në pronësi të shoqërisë “Majestic Konstruksion” sh.p.k., me ortak N.Sh., i lidhur me subjektin J.D.;

Njësi të ndryshme tregtare (291 m2, 205 m2, 135 m2, 70 m2, 34 m2, 29 m2, etj.) në pronësi të E.D. dhe bashkëshortes së tij H.D.;

Pasuri në zonën e Currilave, përfshirë truall dhe ndërtesa me sipërfaqe të konsiderueshme, në pronësi të familjarëve të subjektit E.D., konkretisht B.D. dhe D.D.;

Truall prej 867 m2 dhe ndërtesë 300 m2 në Currila, në pronësi të lidhur me E.D.

Hetimi ndërkombëtar
Operacioni është zhvilluar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore, mes SPAK, Prokurorisë së Barit, Drejtorisë së Antimafias italiane dhe me mbështetjen e Eurojust, çka tregon rëndësinë ndërkombëtare të këtij rrjeti kriminal.

SPAK thekson se hetimi pasuror vijon dhe mund të sjellë sekuestro të tjera në ditët në vijim. Grupi nën hetim dyshohet se ka zhvilluar një aktivitet të strukturuar dhe të sofistikuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e produkteve kriminale, në të dyja anët e Adriatikut.

Ky operacion është një tjetër goditje ndaj pasurisë së krimit të organizuar dhe një sinjal i fortë se drejtësia po vepron jo vetëm penalisht, por edhe ekonomikisht.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button