SPAK regjistron 35 procedime penale për krime zgjedhore, shumica për korrupsion aktiv në zgjedhje

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë të ditur se ka marrë gjithsej 123 kallëzime penale për krime zgjedhore, të mbërritura nëpërmjet kanaleve të ndryshme. Nga këto, 35 raste janë regjistruar si procedime penale, duke shënuar fillimin e hetimeve të thelluara. Prej tyre, 8 janë iniciuar nga vetë prokurorët e posaçëm, ndërsa 20 procedime kanë nisur mbi bazën e referimeve të Policisë së Shtetit.
Sipas SPAK, 29 nga 35 procedimet e hapura kanë të bëjnë me korrupsionin aktiv në zgjedhje, një shkelje serioze që dëmton integritetin e procesit zgjedhor.
Ndërkohë, për 22 kallëzime është vendosur mosfillimi i hetimeve, ndërsa 16 raste janë deleguar në prokuroritë e rretheve për vijimin e procedurave përkatëse. Po ashtu, 10 materiale të tjera janë dërguar për verifikim në drejtoritë vendore të policisë, për një analizë më të thelluar para vendimmarrjes.
Aktualisht, 20 prokurorët e SPAK-it janë pjesë e një task-force të ngritur në 12 qarqet e vendit, së bashku me prokurorë nga prokuroritë e rretheve, oficerë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo strukturë po punon në terren për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.