SPAK merr të pandehur administratorin e KESH, Erald Elezi – Akuza për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera

Administratorit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Erald Elezi, i është komunikuar zyrtarisht marrja si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Elezi akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
Një ditë më parë, SPAK komunikoi të njëjtën akuzë edhe ndaj Gentian Gjylit, i cili gjithashtu është përfshirë në hetime për shkelje të procedurave të prokurimeve publike.
Burime nga prokuroria bëjnë me dije se hetimet kanë nisur pas sekuestrimit të materialeve komprometuese nga celulari i ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi. Nga të dhënat e grumbulluara, janë identifikuar indicie për shkelje të rënda në procedura tenderimi dhe abuzim me fondet publike.
SPAK ka zgjeruar gjithashtu hetimet, duke nisur verifikimin pasuror ndaj 25 personave të dyshuar, përfshirë tre subjekte tregtare. Një pjesë e tenderave të hetuar lidhen me projekte për Eficencën e Energjisë Elektrike, të cilat janë financuar nga fondet e Bashkimit Evropian.
Burime konfidenciale pohojnë se hetimet nuk përfundojnë me këtë fazë, pasi SPAK është duke ndjekur edhe një tjetër fraksion të zyrtarëve të lartë, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në shkelje të ngjashme. Në kohën kur dyshohet se janë kryer veprat penale, si Gjyli ashtu edhe Elezi kanë qenë vartës të Evis Berberit dhe pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO).