Lajme

SPAK mbyll hetimet për Monika Kryemadhin: Zyrtarisht e pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka komunikuar zyrtarisht mbylljen e hetimeve ish-kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, në kuadër të dosjes së njohur si “Meta”.

Kryemadhi është marrë zyrtarisht e pandehur për tre vepra penale të rënda: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Ajo u paraqit në ambientet e SPAK të hënën në orën 13:00, ku prokurorët e posaçëm i dorëzuan dosjen e përfunduar të hetimit. Hetimet ndaj saj janë bashkuar me ato të ish-presidentit Ilir Meta, i cili ndodhet në arrest me burg që nga tetori i vitit 2024.

Ndërkohë që për Kryemadhin është vendosur masa e “detyrimit për paraqitje”, për Metën ende nuk është zyrtarizuar mbyllja e hetimeve, ndonëse akuzat ndaj tij janë bërë publike më herët.

Në këtë dosje është përfshirë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e cila akuzohet se ka ndihmuar çiftin Meta-Kryemadhi në veprimtarinë e pastrimit të parave. Ajo u paraqit në SPAK për t’u njohur me akuzat, por seanca u shty për shkak të përfaqësimit të saj me të njëjtin avokat që mbronte të pandehurën tjetër, Ema Çoku.

Ndaj Çokut është komunikuar akuza për pastrim parash, ndërsa ndaj ish-kreut të AKEP-it, Pirro Xhixho, SPAK ka ngritur akuzën për korrupsion pasiv.

Dosja “Meta” përfshin tri çështje të mëdha hetimore: aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI-së në SHBA, si dhe një hetim të zgjeruar pasuror.

SPAK pritet të çojë çështjen për gjykim në javët në vijim, ndërkohë që ky zhvillim shënon një nga rastet më të bujshme të ndjekjes penale të figurave të larta politike në Shqipëri.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button