Sot shënohet 11-vjetori i aktgjykimit të Kushtetueses për “kontestin” PDK–LAN

Sot mbushen njëmbëdhjetë vjet nga publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me kontestin mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe bllokut LAN (LDK-AAK-Nisma), rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit më 2014.
Me aktgjykimin e 26 gushtit 2014, Kushtetuesja e shpalli antikushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës si kryetar i Kuvendit, të bërë më 17 korrik 2014 nga 83 deputetë. Vendimi final nuk dalloi nga njoftimi i mëhershëm i datës 22 gusht 2014.
Gjykata Kushtetuese konstatoi se seanca konstituive e nisur më 17 korrik 2014 nuk ishte përfunduar, pasi nuk ishin zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ajo theksoi se mbetet detyrë e deputetëve të gjejnë mënyrën për ta zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e punës së Kuvendit, duke bërë Kuvendin funksional.
Në reagimin e tij të asaj kohe, koalicioni LDK-AAK-Nisma theksoi se vendimi i Kushtetueses hapte rrugën për ndërtimin e institucioneve të reja dhe përfaqësonte të drejtën kushtetuese të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit me shumicën e votave.
Ky vendim mbetet një nga rastet më të diskutuara në historinë e gjykimeve kushtetuese të Kosovës, pasi përcaktoi praktikën institucionale lidhur me konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve.