Sot nis regjistrimi i deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës
Regjistrimi i deputetëve të rinj të zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare fillon sot në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar hapin e parë drejt konstituimit të legjislaturës së re. Sot do të regjistrohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 9 Shkurtit.

Ky është një proces formal dhe i domosdoshëm që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paraparë të mbahet më 15 Prill 2025. Në atë seancë pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.
Regjistrimi i deputetëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për t’i dhënë kohë të gjithë anëtarëve të rinj të kryejnë procedurat zyrtare para se të fillojë puna legjislative.
Nesër do të regjistrohen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, të Hënën deputetët e koalicionit AAK-Nisma dhe ata nga radhët e pakicave.
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka takuar më 8 Prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 Prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 Shkurt.