Sorensen takon Osmanin dhe Kurtin, thekson rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar takime veç e veç me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pas takimeve, ai nuk dha detaje për përmbajtjen, duke theksuar se qëllimi i tij është të diskutojë mënyrat e zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
Sorensen u shpreh se situata politike në Kosovë po ndikon në vonesat e procesit, prandaj takimi i sotëm ishte rutinë. Ai gjithashtu tha se është i lumtur që ndodhet në Kosovë në këtë periudhë.
Takimet e tij vijnë në kohën kur Kosova vazhdon të jetë në krizë institucionale pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, pa formim të institucioneve të reja. Njohësit e situatës vlerësojnë se edhe protestat në Serbi po kontribuojnë në ngecjen e dialogut ndërmjet dy vendeve.