SOA: Tensionet në Kosovë mbeten rrezik i vazhdueshëm – ndikimi serb, rus dhe grupet kriminale sfidojnë sigurinë në rajon

Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Kroacisë (SOA) ka publikuar raportin e saj vjetor, ku vlerëson se situata në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, mbetet e brishtë dhe e ndikuar nga faktorë të shumtë destabilizues, përfshirë ndikimin e Serbisë, Rusisë dhe rrjeteve kriminale të rajonit.
Në raportin që mbulon zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë në rajon, SOA thekson se marrëdhëniet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuara dhe të paqëndrueshme. Agjencia vëren se përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës përbën një rrezik të vazhdueshëm, pavarësisht përfshirjes së BE-së dhe SHBA-së në përpjekjet për stabilizim.
Sulmi në Banjskë, shembull i përshkallëzimit të dhunës
SOA përmend si shembull sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku formacione të armatosura serbe sulmuan Policinë e Kosovës, duke shkaktuar vrasjen e një zyrtari policor. Për këtë ngjarje, Prishtina ka akuzuar Beogradin, ndërsa Serbia ka mohuar përfshirjen. Organizatori i dyshuar, Millan Radoiçiq, është larguar në Serbi, ku është marrë në pyetje, por ende nuk janë ngritur procedura penale ndaj tij.
Sipas raportit, ende nuk është zbardhur plotësisht mënyra se si u organizua grupi paraushtarak dhe si u siguruan armët e rënda me origjinë ushtarake.
Institucionet paralele dhe sfidimi i sovranitetit në veri
SOA vë në dukje se autoritetet kosovare po përpiqen të shpërbëjnë institucionet paralele serbe në veri të vendit, në përpjekje për të konsoliduar sovranitetin dhe për të kufizuar ndikimin e Beogradit në këtë pjesë të ndjeshme të territorit.
“Forcat ndërkombëtare mbeten garantuese të sigurisë në një klimë që mund të përshkallëzohet në çdo moment,” thuhet në raport.
Serbia mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës – promovon “botën serbe”
SOA e përshkruan strategjinë e Serbisë si një politikë balancuese mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, ndërkohë që promovon konceptin e “botës serbe”, që synon bashkimin e serbëve në rajon – veçanërisht në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë – nën ndikimin e Beogradit.
Brenda Serbisë, agjencia kroate identifikon polarizim të thellë shoqëror, me protesta antiqeveritare të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkojnë reforma demokratike dhe luftë kundër korrupsionit. Në këtë kontekst, mediat proqeveritare përhapin narrativa që diskreditojnë protestuesit dhe paraqesin Kroacinë si “faktor të përhershëm antiserb”.
Rreziku nga Rusia dhe mjetet hibride të saj
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet ndikimit rus në Ballkan. SOA vlerëson se Rusia përdor lidhjet e saj me Serbinë dhe mjetet hibride, përfshirë mediat si RT dhe Sputnik, për të përhapur propaganda proruse dhe antiperëndimore. Shërbimet ruse të inteligjencës janë aktive në territorin serb, ku dyshohet se strehojnë agjentë të dëbuar nga vendet perëndimore.
Krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës
Raporti ngre alarmin edhe për aktivitetin e grupeve kriminale në Ballkanin Perëndimor, sidomos ato serbo-malazeze, të cilat janë shumë aktive në trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Ky faktor shtesë, sipas SOA-s, kontribuon në destabilizimin e rajonit dhe cenon sigurinë e përgjithshme.
Paqarësia politike në Bosnje dhe ndarja në Mal të Zi
SOA thekson se Bosnja dhe Hercegovina mbetet në krizë të thellë politike, me përplasje të vazhdueshme mes entiteteve, ku Republika Sërpska vazhdon të sfidojë integritetin shtetëror dhe kërkon mbështetje nga Rusia. Ndërkohë, në Mal të Zi, ndarja mes opsioneve proevropiane dhe atyre proruse dhe serbe mbetet një pengesë për procesin e integrimit në BE.
Kisha Ortodokse Serbe përmendet si një aktor me ndikim të fortë politik dhe rajonal, që promovon agjendën e “botës serbe” në Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë.
Kroacia – një ishull stabiliteti në një rajon të trazuar
Përsa i përket Kroacisë, SOA konstaton se vendi mbetet një “demokraci e sigurt dhe e qëndrueshme”, megjithëse ndodhet në një mjedis rajonal të pasigurt. Agjencia vlerëson se Kroacia nuk përballet me kërcënime serioze ndaj sigurisë kombëtare apo rendit kushtetues, por paralajmëron për ndikimet e mundshme nga zhvillimet globale dhe nga konfliktet afër kufijve të BE-së.