Lajme

Skandali në fushatë: Kryeministri thirrje të turpshme para fëmijëve – një kambanë alarmi për shoqërinë

Në një nga daljet e fundit elektorale, Kryeministri i vendit ka thyer çdo standard etik dhe moral, duke shpërthyer në një deklaratë që ka tronditur opinionin publik. “Hapni internetin dhe më shikoni mua, të bukurin shejtan”, është shprehur ai para një audience ku nuk mungonin fëmijët dhe të rinjtë, gjatë një mitingu në bregdetin e Kavajës.

Kjo deklaratë skandaloze, e bërë në një fushatë elektorale që tashmë karakterizohet nga mungesa e programit dhe thellimi i krizës së përfaqësimit politik, është cilësuar nga shumë si shprehje e një destruktiviteti psikologjik të rrezikshëm. Ekspertë të arsimit dhe qytetarë të thjeshtë e kanë denoncuar këtë fjalim si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj moralit dhe edukimit të brezit të ri.

Si prindër dhe mësues, shumë kanë ngritur zërin se transmetimi i një mesazhi të tillë nuk duhet të ishte lejuar në asnjë rrethanë. Në vendet perëndimore, thonë ata, etika gazetareske dhe përgjegjësia institucionale do ta kishin ndalur menjëherë një deklaratë të tillë, për shkak të ndikimit që ajo mund të ketë tek të miturit.

Ndërkohë që shoqëria shqiptare përballet me sfidat e mëdha të revolucionit digjital dhe ndikimeve negative që ai sjell mbi të rinjtë, qeveria, në vend të mbrojtjes së fëmijëve, po promovon një model të shthurur edukimi – të bazuar në lakuriqësi, vulgaritet dhe anarki morale.

Kjo sjellje e përsëritur e kreut të qeverisë, sipas analistëve, nuk është më thjesht çështje politike apo retorike fushate. Ajo reflekton një krizë të thellë psikologjike dhe një prirje për të normalizuar devijime të rrezikshme në shoqëri, duke e kthyer perversitetin në standard shtetëror.

Në vend që të zhvillojë politika për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndërtimin e një edukimi modern dhe evropian, kryeministri shfaqet si promotori kryesor i çedukimit. Madje, veprime të tilla si mbyllja e TikTok-ut, për të cilën u tha se u bë për arsye etike, rezultojnë të jenë thjesht një maskim i censurës së fjalës së lirë në një vend ku institucionet demokratike po zhbëhen dita-ditës.

Kjo situatë kërkon një reagim të fuqishëm shoqëror dhe politik. Edukimi është arma më e fortë që një komb ka për të ndërtuar të ardhmen, dhe ai nuk mund të zëvendësohet me modele të shthurura e propagandë të rrezikshme. Është koha që pedagogjia e vërtetë të rikthehet në qendër të debatit publik dhe të politikave arsimore, si mjeti i vetëm për të përballuar sfidat e botës digjitale.

Shoqëria shqiptare nuk mund të heshtë më. Sepse sot nuk bëhet fjalë vetëm për një fjalim skandaloz, por për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button