Lajme
Kryesore

Skandali i Ambasadorit Shqiptar në Austri thellohet: Kunata e kërkuar nga SPAK e fshehur në Ambasadë?

Një investigim i fundit nga media austriake FoB (Fass ohne Boden) ka rikthyer në qendër të vëmendjes skandalin diplomatik që përfshin ambasadorin shqiptar në Vjenë, Fate Velaj. Sipas raportimeve të gazetarit Alexander Surowiec, rasti Velaj po kthehet në një çështje serioze politike, diplomatike dhe morale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për institucionet austriake.

Sipas FoB, ambasadori Velaj dyshohet se ka strehuar në godinën e ambasadës shqiptare në Vjenë kunatën e tij, Erjona Daupaj, e cila kërkohet ndërkombëtarisht nga SPAK për përfshirje në aferën e pastrimit të parave “Toyota Yaris”. Kjo ngjarje ka hapur debat mbi shfrytëzimin e imunitetit diplomatik për të penguar drejtësinë dhe ka vënë në pikëpyetje integritetin e përfaqësive diplomatike shqiptare.

Shkelje e Konventës së Vjenës
Raporti tregon gjithashtu se Velaj ka shkelur Nenit 8 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike, duke mbajtur paralelisht shtetësinë austriake në kohën e emërimit si ambasador, gjë që është ndaluar rreptësisht nga ligjet ndërkombëtare.

Pasuri milionëshe dhe përfitime sociale
Në deklarimin e pasurisë në vitin 2018, Fate Velaj rezulton të ketë pasuri mbi 1.77 milionë euro, përfshirë depozita në Austri e Shqipëri, pasuri të paluajtshme, një koleksion arti me vlerë qindra mijëra euro dhe një makinë Chrysler Voyager. Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se ai ka përfituar edhe ndihmë sociale në Austri, duke ngritur dyshime për mashtrim financiar.

Pyetje publike pa përgjigje
FoB ka drejtuar një sërë pyetjesh publike për ambasadorin, përfshirë:

Nëse ai ose familjarët e tij janë subjekt i hetimeve të SPAK;

Nëse janë deklaruar të gjitha pasuritë;

Nëse është keqpërdorur pozicioni i ambasadorit për të mbrojtur persona në hetim;

Si justifikon marrjen e ndihmës sociale përkundër pasurisë milionëshe.

Ambasadori nuk ka pranuar të komentojë publikisht, ndërsa Ministria e Jashtme austriake ka marrë në dijeni pyetjet e ngritura.

Pasoja diplomatike në horizont
Në Austri dhe Shqipëri janë shtuar zërat që kërkojnë hetim të plotë dhe transparencë për këtë rast. Mendohet se pas zgjedhjeve të 11 majit, mund të ketë edhe lëvizje politike në drejtim të shkarkimit të Velajt.

Ky rast po shihet si simbol i dështimeve institucionale dhe abuzimit me pushtetin, duke ngritur pikëpyetje serioze për moralin, ligjshmërinë dhe transparencën e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë jashtë vendit.

“Sa mungesë transparence mund të tolerohet në një diplomat?” – është pyetja që mbyll raportin e FoB dhe që tani i drejtohet qeverisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button