Skandal me 7 milionë euro: Çiklistët e ‘Giro d’Italia’ të tronditur nga gjendja e rrugëve në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka shpenzuar 7 milionë euro nga taksat e shqiptarëve për të financuar garën e famshme të çiklistëve “Giro d’Italia”, e cila do të kalojë përmes Shqipërisë me tre etapa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Megjithatë, përtej kritikave për shpërdorimin e kësaj shume të madhe, garuesit kanë hasur vështirësi të mëdha për shkak të gjendjes së rrugëve dhe trafikut të dendur në qytetet shqiptare.
Faqja prestigjioze e lajmeve për çiklizmin, ‘Cycling News’, ka raportuar se çiklistët kanë pasur probleme të mëdha për të gjetur rrugët dhe për të eksploruar etapën, pasi punimet për riparimin e rrugëve dhe trafiku kaos kanë krijuar pengesa të mëdha. Ekipi Alpecin-Deceuninck, përmes drejtori sportiv Gianni Meersman, tha se skuadra e tij ishte detyruar të transportonte biçikletat me makinë, duke e konsideruar eksplorimin e Tiranës me biçikletë si një rrezik të madh për sigurinë e çiklistëve.
Edhe skuadra tjetër e njohur, Visma, përmes Wout van Aert, ka shpërndarë një përshkrim të vështirësive, duke e cilësuar eksperiencën si “hektike” dhe të paparashikueshme. Ata theksuan se punëtorët ishin ende të angazhuar në shtrimin e asfaltit në disa pjesë të rrugëve, duke e bërë të vështirë kalimin e sigurt për çiklistët.
Një raport i faqes daneze Feltet gjithashtu tregon se riparimet e rrugëve kanë qenë ende në proces në ditët e fundit para nisjes së garës, dhe shumë çiklistë shprehën shqetësim për mungesën e përgatitjeve të duhura për garën. Bjarke Vodder Nielsen, një çiklist danez që jeton në Shqipëri, tha se nuk kishte parë kurrë kaq shumë punëtorë asfalti në një rrugë shqiptare, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të siguruar një rrugë të sigurt për garuesit.
Ky incident ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e garuesve dhe ka hapur diskutime të shumta për përdorimin e fondeve publike për aktivitete që, në këtë rast, kanë dështuar të ofrojnë infrastrukturën e nevojshme.