Sindikata e RTK-së alarmon për kolaps financiar, paralajmëron protesta nga 6 gushti

Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka ngritur alarmin për një kolaps të mundshëm financiar në transmetuesin publik, si pasojë e mos alokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.
Në një komunikatë për media, Sindikata ka bërë të ditur se ka njoftuar për situatën kritike përfaqësitë diplomatike në Kosovë, si dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të shmangur ndërprerjen e funksionimit të rregullt të RTK-së.
“Mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik,” thuhet në komunikatë, ku kërkohet që vendimmarrësit të zhbllokojnë urgjentisht buxhetin dhe të sigurojnë vazhdimësinë e punës dhe të pagave për punonjësit.
SPERTK kujton se në nëntor të vitit 2024 ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zvogëlimit të buxhetit për RTK-në në vlerë prej 2 milionë eurosh, por deri tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje.
Sindikata paralajmëron se në rast se buxheti nuk alokohet deri më 5 gusht 2025, nga data 6 gusht do të nisin padi ligjore dhe protesta për të mbrojtur të drejtat e punonjësve dhe funksionimin e RTK-së si transmetues publik.