Si mashtruan mediat e Veliajt/ Shkrimet kriminale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve
Prej ditës së martë është zbardhur vendimin i plotë i gjyqtarit të Apelit të GJKKO-së, Engert Pëllumbi, i cili ka dhënë argumentet e tij shteruese për lënien në “arrest me burg” të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ndër të tjera në vendimin e Apelit të Posaçëm janë evidentuar me fakte të gjitha shkrimet e bëra nga mediat në shërbim të Veliajt, duke sulmuar prokurorin e çështjes Olsi Dado si dhe gjyqtarin e Shkallës së Parë, Erjon Banin.
Gjykata konstaton se komunikimet e Erion Veliajt me bashkëshorten e tij, personin nën hetim Ajola Xoxa, dhe vëllanë e tij, Arbër Veliaj në lidhje me mediat pranë Veliajt kanë sjellë rezultatet e dëshiruara, pasi në disa media janë publikuar shkrime fyese dhe denigruese në drejtim të gjyqtarit të hetimeve paraprake në shkallë të parë dhe prokurorit të çështjes si dhe disa postime të personit nën hetim Erion Veliaj me përmbajtje të njëjtë por edhe kërcënuese ndaj këtyre zyrtarëve.
Në një nga procesverbalet e pasqyruara në faqet 104 të dosjes pasqyrohet një shkrim i gazetarit Mero Baze, të datës 28.02.2025, të botuar në Gazeta Tema, me titull “Standardet etike të Veliajt ndaj prokurorit dhe standardet ligjore të prokurorit ndaj Veliajt”.
Në këtë shkrim ndër të tjera Baze sulmon prokurorin Dado ku ndër të tjera thotë: “Beteja e Erion Veliajt me Olsi Dadon ka kuptim për mënyrën se si Dado është sjellë në këtë proces, për mungesat e tij të rënda profesionale, konfliktin e interesit dhe gjuhën tërësisht të papranueshme dhe jo profesionale gjatë hetimit, që i ngjan më shumë një linçuesi sesa një prokurori.”
Më tej po në faqen 104, në median online Shqiptarja.com gjendet një shkrim i datës 10.03.2025, me titull “Nesër seanca në Apel, Veliaj: Persekutimi i familjes nga një noter ndertues, s’mund të jetë etaloni i Reformës në Drejtësi! Lënia e Tiranës pa drejtim, grusht ndaj qytetit”, ku pasqyrohet një postim i personit nën hetim Erion Veliaj, me konotacion fyes ndaj prokurorit Ols Dado.
Nga procesverbali për këqyrjen dhe marrjen e provës materiale, i datës 06.03.2025, i mbajtur nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, rezulton një shkrim i datës 03.03.2025, i gazetarit Ilir Yzeiri, me titull “Përse Dado – Bani dhe Samet Gurguri duhet të hetohen urgjentisht”. Në këtë shkrim, gazetari në fjalë hedh akuza për ndikime politike dhe korruptive në emërimin e funksionarëve të sistemit të drejtësisë.
Në vendimin e Apelit të Posaçëm evidentohen të gjitha mediat që kanë shërbyer në sulme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, ku siç u nënvizua edhe më sipër përmendet emri i Mero Bazes dhe Temës, “Report TV”, Shqiptarja.com si dhe shumë mediave të tjera, të cilat kanë qenë megafoni i Veliajt, për të propaganduar sulmet kriminale kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që po e hetonin dhe që e çuan pas hekurave kryebashkiakun./ CNA.