Shtyhet testi kualifikues për prokurorë të rinj – mbahet më 30 gusht

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar se Testi Kualifikues për prokurorë të rinj, i cili ishte paraparë të mbahej më 26 korrik, është shtyrë për datën 30 gusht 2025.
Në njoftimin e bërë publik nga Komisioni për Rekrutim i KPK-së, thuhet se kjo shtyrje është bërë për të garantuar mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve, duke u bazuar në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë nr. 102/VII/2025 të datës 22 korrik 2025, i cili parasheh masa mbrojtëse për mbrojtje nga temperaturat e larta.
“Testi Kualifikues do të mbahet më 30 gusht 2025, ndërsa vendi dhe koha e mbajtjes mbeten të pandryshuara,” thuhet në njoftimin zyrtar të KPK-së.
Këshilli ka siguruar kandidatët se do të vazhdojë të veprojë në përputhje me parimet e transparencës dhe përgjegjësisë institucionale gjatë gjithë procesit të rekrutimit.