Kosova

Shtyhet seanca në Gjykatën e Prishtinës ndaj dy të akuzuarve për ngjarjen e vitit 2023 në Fushë-Kosovë

Seanca gjyqësore e caktuar për ditën e hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami është anuluar me kërkesë të prokurorit të çështjes, Armend Hamiti.

Zyra e gjykatësit Gent Beka ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se seanca është shtyrë për shkak të pushimit vjetor të prokurorit Hamiti dhe pamundësisë për ta zëvendësuar me një tjetër prokuror.

Të dy të akuzuarit ngarkohen për veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje, lidhur me rastin e vrasjes së A.H., më 12 shkurt 2023 në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë. Sipas aktakuzës së ngritur më 9 gusht 2023, fillimisht i akuzuari Bajrami e kishte sulmuar viktimën me grushte, shqelma dhe sende të forta, ndërsa më pas, së bashku me Musliun, e kishin ndjekur dhe rrahur përsëri viktimën, deri sa Musliu e goditi me thikë në kraharor, duke e lënë pa shenja jete.

Musliu akuzohet gjithashtu për veprën penale të “Mbajtjes së paautorizuar të armëve”, pasi thika me të cilën dyshohet se kreu vrasjen u gjet në pronësinë e tij.

Në seancën e 5 shtatorit 2023, Musliu kishte pranuar fajësinë dhe më 2 tetor ishte dënuar me 22 vite burgim – vendim që u vërtetua edhe nga Gjykata e Apelit më 6 shkurt 2024. Megjithatë, Gjykata Supreme, përmes aktgjykimit të 27 majit 2024, e anuloi këtë vendim dhe e ktheu rastin në rigjykim.

Në seancën e 20 qershorit 2024, është propozuar bashkimi i procedurave penale ndaj Musliut dhe Bajramit. Propozimi u aprovua nga gjyqtari Beka, duke bërë që gjykimi të vazhdojë bashkërisht ndaj të dy të akuzuarve.

Datë e re e seancës pritet të caktohet pas përfundimit të pushimeve të prokurorit të çështjes.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button